
Një debat i ri është hapur në futbollin turk, ku në qendër të reagimeve është vendosur edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi. Tifozët e Trabzonsporit kanë shpërthyer në rrjetet sociale, duke akuzuar për trajtim të pabarabartë në mënyrën si vlerësohen golat e skuadrave të ndryshme.
Shkak për reagimin është bërë goli i realizuar në fundjavë nga mesfushori i Besiktasit, Orkun Kökçü, në ndeshjen ndaj Gençlerbirliğit. Realizimi i tij nga një kënd shumë i vështirë është cilësuar në Turqi si një nga golat më të bukur të sezonit.
Megjithatë, ky vlerësim ka sjellë pakënaqësi te tifozët e Trabzonsporit, të cilët pretendojnë se një gol i ngjashëm, madje sipas tyre edhe më i bukur, ishte shënuar më herët nga Ernest Muçi në përballjen ndaj Konyasporit, por nuk mori të njëjtën jehonë mediatike.
Në komentet e publikuara në rrjetet sociale, mbështetësit e Trabzonsporit dhe të lojtarit shqiptar kanë kërkuar trajtim më të barabartë për klubin dhe futbollistët e tij, në raport me ekipet e mëdha të Stambollit.
“Kur një gol i tillë shënohet nga një skuadër e Stambollit, flitet për të me ditë të tëra. Por kur një gol i ngjashëm vjen nga Trabzonspori, askush nuk i kushton vëmendje. Historia e Trabzonsporit ka qenë gjithmonë kundër këtyre standardeve të dyfishta dhe ne nuk do ta harrojmë këtë qasje”, thuhet në një nga komentet e tifozëve.
Në këtë mënyrë, emri i Ernest Muçit është rikthyer në qendër të diskutimeve në futbollin turk, këtë herë jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për debatin që ka nxitur mes tifozëve dhe opinionit sportiv.
Lini një Përgjigje