
Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të fazës “Final 4”, e cila do të vendosë kampionin e edicionit 2025–2026 të “Abissnet Superiore”, si edhe ekipet që do të sigurojnë pjesëmarrjen në kualifikueset e Ligës së Konferencës.
Sipas njoftimit, të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 16–31 maj 2026. FSHF thekson se organizimi i këtij etapi do të synojë standarde të larta, në fazën më të rëndësishme të sezonit futbollistik.
Në bazë të rregullores, pjesë e “Final 4” do të jenë katër skuadrat e para që renditen në përfundim të fazës së rregullt të kampionatit.
Pikët e grumbulluara deri në këtë fazë do të përgjysmohen, duke u llogaritur sipas vlerës më të ulët. Në total do të zhvillohen gjashtë ndeshje.
Takimet e para janë planifikuar për datat 16 dhe 17 maj. Ndeshjet e dyta do të luhen më 23 dhe 24 maj, ndërsa përballjet e fundit do të zhvillohen më 29 dhe 31 maj.
Skema e ndeshjeve:
Vendi 1 vs Vendi 4, 16.05.2026 19:00
Vendi 2 vs Vendi 3, 17.05.2026 19:00
Vendi 1 vs Vendi 3, 23.05.2026 19:00
Vendi 2 vs Vendi 4, 24.05.2026 19:00
Vendi 3 vs Vendi 4, 29.05.2026 19:00
Vendi 1 vs Vendi 2, 31.05.2026 19:00
Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën “Final 4”, renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim:
– Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;
– Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;
– Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + Final 4).
Lini një Përgjigje