
AF Elbasani përmbysi 2-1 Tiranën në "Elbasan Arena". Dueli u shoqërua me tension nga të dyja anët e tifozëve, me policinë që kishte marrë masat e duhura duke shmangur një përleshje fizike.
Të njohur për rivalitetin mes tyre, ultrasit e AF Elbasanit dhe Tiranës lëshuan gjatë gjithë 90 minutave arsenalin e të sharave me "libër shtëpie" në drejtim të njëri-tjetrit.
Pas përfundimit të sfidës, vendasit shkuan poshtë tribunës së miqve, me tensionin jashtë stadiumit që u shmang nga policia. Edhe aty nuk munguan flakadanët edhe "lumi" i të sharave.
'Tigrat Verdheblu' dhe 'Tirona Fanatics' prej vitesh kanë përplasje mes tyre, ndërsa këtë herë u izoluan vetëm në ofendime.
Elbasani arriti të merrte një fitore me përmbysje ndaj Tiranës me rezultatin 2-1.
Bardheblutë kaluan në epërsi pas 11 minutash lojë. Përgjoni përfitoi në maksimum nga një rrëmujë në zonë dhe nga fare pranë, ia doli që të dërgonte topin në rrjetë.
Për golin e barazimit duhet të vinte minuta e 72. Një harkim perfekt i Lilës gjeti Qosen, i cili u koordinua si duhet dhe realizoi me kokë.
Në minutat shtesë Qose kompletoi dopietën duke përmbysur sfidën.
Me këtë rezultat, Tirana është në vendin e fundit me 32 pikë. Në krahun tjetër, Elbasani është në vendin e pestë me 43 pikë.
AF Elbasani 2-1 Tirana, 31 march 2025 - 'Elbasan Arena'. Ultras, hooligans, Tigrat Verdheblu vs Tirona Fanatics - Elbasan, Albania pic.twitter.com/P2uZ0u3fqB
— News video (@Newsvideo13) April 1, 2025
Lini një Përgjigje