Kombëtarja shqiptare e Socca-s ka mbyllur rrugëtimin e saj në Kampionatin Europian, që po zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, pas humbjes 3-0 ndaj Serbisë në fazën çerekfinale.
Pas triumfit emocionues ndaj Francës në raundin e 1/8-ave, kuqezinjtë zbritën në fushë të mbështetur nga tifozët vendas, në një atmosferë entuziaste dhe me ritëm të lartë loje.
Shqipëria zhvilloi një ndeshje të luftuar dhe krijoi disa raste për shënim, por Serbia arriti të zhbllokonte rezultatin në pjesën e dytë. Më pas, kundërshtarët realizuan edhe dy gola të tjerë, duke vulosur kualifikimin për në gjysmëfinale.
Të tre golat e sfidës u shënuan në fraksionin e dytë të lojës, në një moment kur kuqezinjtë po kërkonin të mbanin të hapur ndeshjen dhe të riktheheshin në rezultat.
Pavarësisht eliminimit, Shqipëria e mbyll me nota pozitive këtë pjesëmarrje në Europianin e Socca-s, pasi arriti të kalojë fazën e grupeve dhe të sigurojë një fitore të rëndësishme ndaj Francës në 1/8-at, përpara se të ndalej në çerekfinale.
Lini një Përgjigje