Xhorxh Rasëll triumfoi në Garën Sprint të Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1, pasi e nisi garën nga “pole position” dhe arriti ta ruante kreun deri në fund në pistën e Montrealit. Piloti britanik i Mercedes la pas Lando Norris me McLaren, ndërsa Andrea Kimi Antoneli e mbylli garën në vendin e tretë.
Momenti më i diskutuar i garës ishte dueli i ashpër mes dy pilotëve të Mercedes. Që në xhirot e para, talenti italian Antoneli tentoi të sulmonte Rasëll për vendin e parë, por hasi vështirësi në duelet direkte me shokun e skuadrës. Në një moment, 19-vjeçari përfundoi jashtë piste, ndërsa në një tjetër tentativë u detyrua të frenonte fort pas manovrës mbrojtëse të Rasëll.
Menjëherë pas episodit, Antoneli reagoi i irrituar në komunikimin me radio me skuadrën, duke e cilësuar situatën si “të padrejtë”. Drejtuesi i Mercedes, Toto Ullf, i kërkoi pilotit italian të përqendrohej te gara dhe të shmangte komentet publike mbi incidentin.
Pas tensionit me Rasëll, Antoneli humbi edhe pozicionin ndaj Lando Norris dhe për disa xhiro u vu nën presion nga Luis Hamilton. Megjithatë, italiani rikuperoi ritmin në fund të garës dhe tentoi të rikthehej në vendin e dytë, por pa sukses, duke siguruar podiumin me vendin e tretë.
Oskar Piastri me McLaren u rendit i katërti, ndërsa Ferrari vijon të zhgënjejë me Sharl Lë Klerk dhe Luis Hamilton që përfunduan respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë. Hamilton humbi dy pozicione në xhiron e parafundit.
Më tej, Maks Vershtapen me Red Bull u rendit vetëm në vendin e shtatë, ndërsa debutuesi Arvin Lindblad mbylli zonën e pikëve në vendin e tetë.
Rezultati i Sprintit konfirmon formën e mirë të Mercedes këtë sezon, me Rasëll dhe Antoneli që vijojnë të jenë protagonistë në renditjen e pilotëve. Gara kryesore e Çmimit të Madh të Kanadasë do të zhvillohet të dielën në orën 22:00.
Lini një Përgjigje