Ernest Muçi ka kurorëzuar një tjetër sezon pozitiv në karrierën e tij, duke fituar Kupën e Turqisë me Trabzonsporin. Skuadra e tij triumfoi në finale ndaj Koniasporit me rezultatin 2-1, në një ndeshje ku sulmuesi shqiptar dha një kontribut të rëndësishëm.
25-vjeçari u shfaq aktiv gjatë gjithë takimit, duke ndihmuar ekipin me lëvizjet dhe aksionet në repartin ofensiv. Muçi ishte protagonist edhe në aksionin e golit të parë të realizuar nga Onuaçu, duke konfirmuar rolin e tij të rëndësishëm në skuadër.
Ky sukses shton një tjetër trofe në karrierën e futbollistit shqiptar, i cili prej vitesh po ndërton profilin e një lojtari fitues. Rrugëtimi i tij nisi te Tirana, ku fitoi titullin kampion në sezonin 2019-2020 dhe spikati si një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar.
Më pas, Muçi vijoi karrierën në Poloni me Legian e Varshavës. Me klubin polak ai fitoi kampionatin në sezonin 2020-2021, si edhe Kupën e Polonisë dhe Superkupën në vitet pasuese.
Hapi i radhës ishte transferimi në futbollin turk, fillimisht te Beshiktashi, ku arriti të fitonte Kupën dhe Superkupën e Turqisë. Aktualisht te Trabzonspori, sulmuesi shqiptar ka shtuar edhe një tjetër trofe në koleksionin e tij, duke regjistruar suksesin e tetë në nivel klubesh.
Paraqitjet e tij në kampionatin turk kanë qenë bindëse, ndërsa Trabzonspori investoi 8.5 milionë euro për kartonin e tij. Muçi mbetet një nga lojtarët shqiptarë më premtues për të ardhmen, si në arenën ndërkombëtare me klubin, ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare.
Lini një Përgjigje