Hull Siti është skuadra e tretë dhe e fundit që siguron ngjitjen në Premier Ligë për sezonin e ardhshëm, pas Koventrit dhe Ipsuiçit. Ekipi anglez e mbylli sezonin e rregullt në vendin e gjashtë, duke siguruar pjesëmarrjen në “play-off” vetëm në javën e fundit të kampionatit.
Rruga drejt elitës nisi me përballjen ndaj Miluoll në gjysmëfinale, ku Hulli arriti të kualifikohej falë suksesit 0-2 në transfertë, pasi sfida e parë në shtëpi ishte mbyllur në barazim pa gola.
Ndërkohë, Midëllsbrou siguroi finalen pasi përfitoi nga skualifikimi i Sauthemptonit, i cili u penalizua për spiunazh ndaj kundërshtarëve.
Finalja e zhvilluar në stadiumin “Wembley” u vendos vetëm në minutat shtesë. Heroi i Hullit ishte sulmuesi skocez Oli MekBërni, i cili në minutën e 90+5 shfrytëzoi një krosim në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren 1-0 dhe rikthimin e skuadrës në Premier Ligë pas plot nëntë vitesh.
Sezoni i kaluar ishte krejt ndryshe prë Hull Sitin, që arriti të mbijetonte në Championship vetëm në javën e fundit dhe falë golavarazhit, duke shmangur rënien në Ligën Një.
Përveç rikthimit në elitën e futbollit anglez, klubi përfiton edhe një bonus financiar të konsiderueshëm. Sipas raportimeve, Hulli do të arkëtojë rreth 250 milionë euro nga ngjitja në Premier Ligë, një shumë që pritet të ndikojë ndjeshëm në përforcimin e skuadrës gjatë merkatos së verës.
Kujtojmë se kjo finale quhet ndryshe edhe si më e shtrenjta në futboll.
Lini një Përgjigje