Pas Xhuzepe Dosenës, Xhani De Biazit, Kristian Panuçit dhe Edi Rejës, Kombëtarja shqiptare do të drejtohet sërish nga një teknik italian. Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar pankinën kuqezi 62-vjeçarit Rolando Maran, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me FSHF-në.
Maran pritet të debutojë në stolin e Shqipërisë në ndeshjet miqësore të 3 dhe 6 qershorit ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Ai zëvendëson brazilianin Silvinjo, duke vijuar traditën e bashkëpunimit të kombëtares shqiptare me shkollën italiane të trajningut.
Tekniku nga Trentino njihet për eksperiencën e gjatë në futbollin italian, ku ka drejtuar skuadra si Katania, Kievo, Kaljari dhe Bresha. Kulmin e karrierës së tij e arriti te Kievo, skuadër me të cilën ndërtoi një ekip konkurrues në Serinë A dhe u vlerësua për organizimin taktik, disiplinën në mbrojtje dhe lojën intensive pa top.
Eksperienca e fundit e Maranit ishte te Bresha në vitin 2025, aventurë që u mbyll me rënien e klubit në Serinë C.
Me emërimin e tij, Maran bëhet italiani i pestë që merr drejtimin e Kombëtares shqiptare. I pari ishte Xhuzepe Dosena, i cili u emërua në tetor të vitit 2002. Ish-mesfushori kampion bote me Italinë në vitin 1982 qendroi vetëm dy ndeshje në krye të kuqezinjve, duke regjistruar një fitore dhe një humbje.
Më pas erdhi periudha më e suksesshme në historinë e futbollit shqiptar me Xhani De Biazin. Tekniku venecian drejtoi Shqipërinë në 52 ndeshje mes viteve 2011 dhe 2017, duke siguruar kualifikimin historik në “EURO 2016”, turneu i parë madhor për kuqezinjtë. Nën drejtimin e tij, Shqipëria arriti fitore të rëndësishme ndaj Portugalisë, Francës në miqësore dhe Armenisë, ndërsa në Europian regjistroi edhe triumfin e parë historik në një kompeticion madhor, 1-0 ndaj Rumanisë.
Pas largimit të De Biazit, pankina iu besua Kristian Panuçit. Ish-mbrojtësi i Realit të Madridit dhe Milanit drejtoi Shqipërinë nga korriku 2017 deri në mars 2019. Gjatë kësaj periudhe, ai regjistroi disa rezultate pozitive, përfshirë fitoren ndaj Izraelit në “Ligën e Kombeve”, por eksperienca e tij u shoqërua me mungesë vazhdimësie dhe tensione me ambientin sportiv, deri në shkarkimin pas humbjes ndaj Turqisë në eliminatoret e “EURO 2020”.
Italiani i fundit para Maranit ishte Edi Reja. Trajneri me përvojë qendroi në krye të kuqezinjve nga prilli 2019 deri në nëntor 2022, duke drejtuar ekipin në 38 ndeshje. Gjatë mandatit të tij, Shqipëria siguroi ngjitjen historike nga Liga C në Ligën B të “Ligës së Kombeve” dhe zhvilloi një fushatë pozitive në eliminatoret e Botërorit 2022, ku grumbulloi 18 pikë, rekordi më i mirë i kuqezinjve në një grup kualifikues për Kupën e Botës.
Tashmë, sfida i takon Rolando Maran, i cili do të ketë objektivin të vazhdojë rrugën e rritjes së Kombëtares shqiptare dhe të mbajë gjallë traditën italiane në pankinën kuqezi.
Lini një Përgjigje