Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi këtë të martë trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran. Tekniku italian firmosi një kontratë për një vit e gjysmë dhe u prezantua zyrtarisht nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Së bashku me Maran në stafin kuqezi do të jetë edhe ndihmësi i tij i besuar, Kristian Maraner. 56-vjeçari italian ka bashkëpunuar prej vitesh me Maranin në disa skuadra të futbollit italian, mes tyre Vareze, Katania, Kievo, Kaljari, Xhenoa, Piza dhe së fundmi Bresha.
Maraner do të mbajë rolin e krahut të djathtë të trajnerit të ri edhe në drejtimin e Kombëtares shqiptare.
Sipas raportimeve në media, Rolando Maran dhe stafi i tij teknik do të përfitojnë rreth 400 mijë euro në vit. Kjo shumë përkthehet në mbi 33 mijë euro në muaj për të gjithë stafin.
Me këtë marrëveshje, Federata Shqiptare e Futbollit rikthehet në nivele më të ulëta financiare krahasuar me periudhën e trajnerit Silvinjo, i cili bashkë me stafin e tij përfitonte afro 1 milion euro në vit.
Kontratat e anëtarëve të stafit teknik janë individuale dhe të përcaktuara veçmas. Bazuar në përllogaritjet e thjeshta, stafi i ri teknik pritet t’i kushtojë FSHF-së mbi 1.100 euro në ditë.
Lini një Përgjigje