
Ernest Muçi nuk do të jetë në dispozicion të Trabzonsporit për ndeshjen e nesërme ndaj Alanjasporit, e vlefshme për javën e 29-të të Superligës turke.
Klubi ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, ku emri i mesfushorit shqiptar mungon. Muçi vijon të jetë i penalizuar nga dëmtimi i pësuar javën e kaluar, i cili e detyroi të humbasë edhe përballjen ndaj Gallatasarajit.
Sipas burimeve nga klubi, lojtari mori pjesë në seancën e fundit stërvitore për të testuar gjendjen fizike, por në përfundim u vlerësua se nuk është ende gati për t’u rikthyer në fushën e lojës.
Mungesa e Muçit vjen në një moment delikat për Trabzonsporin, që vijon të mbetet në garë për titullin kampion. Aktualisht, skuadra renditet katër pikë pas kryesuesve të Gallatasarajit, duke e bërë çdo ndeshje vendimtare në fazën përmbyllëse të sezonit.

Lini një Përgjigje