Pas humbjes ndaj Napolit, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, u shpreh hapur se gara për titullin kampion mund të konsiderohet e përfunduar.
Me një diferencë prej nëntë pikësh nga Interi dhe vetëm shtatë ndeshje të mbetura, objektivi i vetëm për kuqezinjtë mbetet sigurimi i një vendi në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Të shtunën, më 11 prill, Milani do të presë Udinesen në “San Siro”, në një sfidë që konsiderohet vendimtare për ruajtjen e pozicionit mes katër ekipeve të para. Në prag të kësaj ndeshjeje, Allegri analizoi situatën e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e rikthimit te fitorja.
“Duhet të ruajmë ekuilibrin. Humbja ndaj Napolit është pjesë e kampionatit, por një ndeshje nuk mund të zhbëjë punën e një sezoni të tërë. Do të analizojmë si aspektet pozitive, ashtu edhe ato negative”, u shpreh ai.
Tekniku italian u ndal edhe te rendimenti i disa lojtarëve kyç si Pulisic dhe Leao, duke përmendur problemet fizike që kanë ndikuar në formën e tyre, si dhe mungesën e golave.
“Fatkeqësisht dëmtimet i kanë penguar të rikthehen në formën optimale. Megjithatë, ata kanë dhënë kontribut me gola të rëndësishëm. Nkunku, Gimenez, Leao, Pulisic dhe Fullkrug janë lojtarë me cilësi. Edhe ndaj Napolit krijuam raste pranë zonës së penalltisë, por bëmë gabime. Ka momente kur nuk arrin të konkretizosh”, tha Allegri.
Ai komentoi gjithashtu edhe zërat për postin e trajnerit të Kombëtares italiane, ku është përmendur si kandidat.
“Para se të vendoset trajneri, duhet të përcaktohet presidenti. Pastaj do të shohim”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje