
Në stadiumin “Campo de Futbol de Vallecas” në Madrid, Rajo Vajekano ka siguruar një fitore bindëse 3-0 ndaj AEK-ut në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Konferencës, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinale.
Skuadra vendase e nisi ndeshjen në mënyrë agresive, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Ilias Akhomah finalizoi me saktësi, duke surprizuar portierin shqiptar Thomas Strakosha.
Në fund të pjesës së parë, Rajo Vajekano dyfishoi rezultatin. Strakosha arriti të ndalte goditjen e parë të Akhomah, por nuk mundi të reagonte ndaj tentativës së dytë nga Unai Lopez, i cili, fare pranë portës, e dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 74-t, vendasit shënuan edhe golin e tretë. Isi Palazon u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas një prekjeje të topit me dorë brenda zonës nga një lojtar i ekipit grek.
Thomas Strakosha ishte titullar për AEK-un, ndërsa mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, nuk u aktivizua, duke e ndjekur të gjithë ndeshjen nga stoli.
Me këtë fitore të pastër 3-0, Rajo Vajekano afrohet ndjeshëm me gjysmëfinalen. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave dhe pritet të vendosë përfundimisht fatin e këtij dueli.
Lini një Përgjigje