
Shqipëria U-19 e vajzave ka barazuar 2-2 ndaj Malit të Zi në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Takimi, i zhvilluar pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, prodhoi emocione deri në minutat e fundit.
Skuadra e drejtuar nga trajnerja Daniela Kodra u paraqit me këtë formacion: Helshani në portë, ndërsa në mbrojtje dhe mesfushë u rreshtuan Hysa, Nika, Kadiolli, Bajramaj, Vata, Bushati, Ago (kapitene), Stalaj, Reci dhe Leka.
45 minutat e para u mbyllën me epërsinë 0-1 për Malin e Zi. Goli i vetëm i kësaj pjese u realizua nga Dresaj në minutën e 29-të. Shqipëria krijoi disa raste për shënim, por pa arritur të konkretizonte.
Në fraksionin e dytë, kuqezezat u shfaqën më kërkuese dhe morën kontrollin e lojës. Barazimi erdhi në minutën e 72-të, kur Gelda Kadiolli realizoi një gol spektakolar direkt nga goditja e këndit.
Në minutën e 90-të, Shqipëria përmbysi rezultatin falë një goditjeje të fuqishme nga distanca të Bora Bushatit, duke kaluar në avantazh 1-2.
Megjithatë, epërsia zgjati pak. Mali i Zi reagoi menjëherë dhe në minutën e 92-të arriti të barazonte, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Turqia fitoi bindshëm 6-0 ndaj Lihtenshtejnit në “Egnatia Arena”.
Shqipëria do të përballet me Turqinë në ndeshjen e dytë më 12 prill, në orën 15:00, sërish në “Shtëpinë e Futbollit”. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV.
Lini një Përgjigje