
Mario Mitaj po kalon një periudhë të ndërlikuar tek Al-Itihad, ku vazhdon të mos përfshihet në skuadër nga trajneri Serxhio Konseisao. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mbeti sërish jashtë listës në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Al-Itihad u mposht 3-4 nga Neom SC, në një përballje me shumë gola.
Kjo është hera e dytë radhazi që Mitaj nuk grumbullohet, duke përfunduar as në tribunë dhe as në stolin e rezervave. Situata ka ngritur pikëpyetje, sidomos duke pasur parasysh se lojtari nuk raportohet për probleme fizike.
Një ditë para ndeshjes, në rrjetet sociale të klubit u publikua një video ku Fabinjo i drejtohet Mitajt me pyetjen nëse skuadra ishte gati për sfidën. Përgjigjja e mbrojtësit shqiptar ishte: “Ne gjithmonë jemi gati”. Kjo u interpretua si një sinjal për përfshirjen e tij në ekip, por në praktikë ndodhi e kundërta.

Në nivel përfaqësueseje, Mitaj ka qenë titullar në të dy ndeshjet e fundit të Shqipërisë, duke konfirmuar rolin e tij si alternativë kryesore në krahun e majtë të mbrojtjes. Kjo e bën edhe më të paqartë mungesën e minutave në klub.
Sfida e javës së 29-të në elitën saudite mes Al-Ittihad dhe Neom SC prodhoi shtatë gola dhe përmbysje të shumta. Al-Itihad kaloi përkohësisht në avantazh 3-2, por nuk arriti ta ruante rezultatin, duke u mposhtur në fund 3-4. Në këtë takim, Mitaj nuk ishte pjesë e ekipit në asnjë formë.
Lini një Përgjigje