
Beshiktashi po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në skuadër, teksa në Turqi është publikuar një listë me 23 lojtarë që pritet të largohen. Në këtë listë përfshihen futbollistë të huazuar, por edhe pjesë aktuale e ekipit, të cilët nuk janë në planet e trajnerit Sergen Jalçin për sezonin e ardhshëm.
Një nga emrat që bie në sy është ai i Ernest Muçit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po kalon një moment pozitiv te Trabzonspori, ku është duke u dalluar me paraqitjet e tij. Megjithatë, sipas raportimeve, kjo nuk ka ndikuar në qendrimin e trajnerit Jalçin, i cili nuk e konsideron pjesë të projektit të tij te Beshiktashi.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Trabzonsporit besohet se janë të vendosur të ushtrojnë opsionin e blerjes së kartonit të Muçit. Qëllimi i tyre, sipas burimeve në Turqi, është ta shesin lojtarin më pas në merkaton e verës për një vlerë më të lartë.
Një tjetër emër që ka tërhequr vëmendje është Kristjan Asllani. Edhe pse ka pasur minuta të kufizuara, mesfushori shqiptar duket se gëzon besimin e trajnerit, i cili e ka aktivizuar shpesh si titullar. Aktualisht, ai konsiderohet ende pjesë e planeve të Jalçinit.
Megjithatë, e ardhmja e Asllanit lidhet ngushtë me kërkesat ekonomike të Interit. Klubi italian kërkon rreth 11 milionë euro për kartonin e tij. Nëse kjo shumë ulet, atëherë Beshiktashi mund të ndërmarrë hapa për transferimin përfundimtar. Një vendim pritet vetëm pas përfundimit të sezonit.
Në listën e lojtarëve që nuk llogariten për sezonin e ardhshëm përfshihet edhe Milot Rashica. Pavarësisht se ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, kosovari nuk duket se është pjesë e planeve të stafit teknik.
Lini një Përgjigje