TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Mars 2026, 20:03

Napoli përmbys Leçen dhe merr fitoren e tretë radhazi në Serinë A, por humbet protagonistin kryesor të fitores

Shkruar nga Pamfleti

Napoli përmbys Leçen dhe merr fitoren e tretë radhazi në

Napoli ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Serie A, pasi mposhti me rezultatin 2-1 skuadrën e Leçes në stadiumin “Diego Armando Maradona”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të kampionatit italian.

Takimi nisi në mënyrë surprizuese për vendasit, pasi Lecce kaloi në avantazh shumë shpejt. Në minutën e 3-të, mbrojtësi gjerman Jamil Zibert realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke përfituar nga krosimi i Antonino Galo dhe duke mposhtur mbrojtjen e Napolit. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të miqve, 0-1.

Në pjesën e dytë, Napoli reagoi menjëherë dhe arriti të barazonte rezultatin. Pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Mateo Politanos, sulmuesi Rasmus Hojlund dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në takim.

Përmbysja e napolitanëve u kompletua në minutën e 66-të. Këtë herë ishte vetë Politano që shënoi, duke finalizuar me të majtën brenda zonës pas një topi të ardhur nga goditja e këndit.

Pak minuta pas golit, protagonisti i ndeshjes, Mateo Politano, pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua nga Migel Gutierrez. Deri në fund të takimit rezultati mbeti i pandryshuar.

Me këtë fitore, Napoli ngjitet në kuotën e 59 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje, vetëm një pikë më pak se Milani i vendit të dytë. Ndërkohë, ka një diferencë prej tetë pikësh nga ndjekësit më të afërt, Komo dhe Roma, të cilat ende nuk kanë zhvilluar ndeshjet e javës së 29-të.

napoli leçe seria a

Lini një Përgjigje