
Atletiko e Madridit vazhdon momentin pozitiv në kampionatin spanjoll, duke marrë fitoren e katërt radhazi në La Liga. Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone mposhti minimalisht 1-0 Getafen në stadiumin “Metropolitano”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të.
“Los Kolçoneros” e nisën sfidën në mënyrë ideale dhe kaluan në avantazh që në minutën e 8-të. Mbrojtësi argjentinas Nahuel Molina realizoi një gol spektakolar me një goditje të fuqishme nga distanca, duke surprizuar portierin e Getafes, David Soria.
Pas golit të shpejtë, Atletiko administroi lojën dhe e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0.
Situata për miqtë u vështirësua edhe më shumë në minutën e 55-të, kur Abdel Abqar u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me Aleksandër Shorloth. Futbollisti maroken la skuadrën e tij me një lojtar më pak, ndërsa sulmuesi norvegjez i Atletikos u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Pavarësisht avantazhit numerik, madrilenët nuk arritën të shënonin sërish, por ruajtën epërsinë deri në fund të takimit.
Me këtë fitore, Atletiko e Madridit ngjitet në kuotën e 57 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditjen e La Ligas. Tashmë vëmendja e skuadrës madrilene zhvendoset te ndeshja e kthimit në Champions League kundër Totenhemt, pasi në përballjen e parë Atletiko fitoi në shtëpi me rezultatin 5-2.
Lini një Përgjigje