
Interi ka bërë një tjetër hap fals në Serinë A, duke barazuar 1-1 në shtëpi ndaj Atalantës në ndeshjen e javës së 29-të, të zhvilluar në stadiumin “San Siro”. Ky rezultat vjen vetëm pak ditë pas humbjes 1-0 në derbin ndaj Milanit.
Zikaltrit kaluan në avantazh në minutën e 26-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe kombinimeve mes Dumfris, Turam dhe Barela, ishte ky i fundit që shërbeu një asist për Françesko Pio Espozito. Sulmuesi realizoi me një goditje të bukur me të majtën nga brenda zonës, duke dërguar topin në rrjetë.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të Interit. Në fillimin e pjesës së dytë, vendasit krijuan disa raste të mira shënimi, veçanërisht me Dumfris dhe Turam, por nuk arritën t’i konkretizonin. Në minutën e 61-të, Turam pati një tjetër mundësi të mirë për të dyfishuar rezultatin, por portieri i Atalantës, Marko Karnezeki, reagoi në mënyrë vendimtare.
Atalanta arriti të barazonte në minutën e 82-të me Nikola Krstoviç, i futur nga stoli në pjesën e dytë. Fillimisht, goditja e Sulemanas u ndal nga portieri Jann Somer, por Krstoviç përfitoi nga rikthimi i topit dhe e dërgoi atë në rrjetë. Episodi u verifikua edhe nga VAR për një faull të mundshëm, por goli u konfirmua si i rregullt.
Vendimi i arbitrit Xhanluka Manjanielo shkaktoi protesta në pankinën e Interit. Trajneri Kristian Kivu u ndëshkua me karton të kuq pasi mori dy kartonë të verdhë brenda pak minutash për protestë dhe do të mungojë në ndeshjen e ardhshme, të cilën do ta ndjekë nga tribuna.
Tensioni vazhdoi edhe në minutën e 87-të, kur lojtarët e Interit kërkuan penallti për një ndërhyrje ndaj Davide Fratezit brenda zonës. Megjithatë, arbitri dhe sistemi VAR vendosën që loja të vazhdonte.
Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me sfidën që u mbyll 1-1. Interi vijon të kryesojë renditjen me 68 pikë, ndërsa diferenca prej tetë pikësh me Milanin mund të ngushtohet nëse kuqezinjtë fitojnë në transfertë ndaj Lacios. Atalanta, nga ana tjetër, mban vendin e shtatë me 47 pikë.
Lini një Përgjigje