
Silvinjo padiskutim është “arkitekti” i kombëtares shqiptare. Braziliani ia doli të na kualifikojë për herë të dytë në histori në një kampionët Europian. Tashmë kuqezinjtë do të luajnë në fazën finale të “EURO 2024” që do të luhet në Gjermani.
Kombëtarja shqiptare ka mësuar edhe kundërshtarët që do të ketë në grup. Një grup ferri është cilësuar, pasi kuqezinjtë vihen përballë Spanjës, Kroacisë dhe Italisë. Pikërisht në Spanjë diçka e tillë ka marrë vëmendjen.
“Mundo Deportivo” i ka bërë një artikull Silvinjos që nga sukseset me Barcelonën në La Liga deri te arritja në “EURO 2024” me kombëtaren shqiptare. Ndër rreshta media spanjolle e cilëson Silvinjon si heroin shqiptar.
“Tiranë , 12 tetor 2023. Mijëra tifozë shqiptarë festojnë në rrugë fitoren 3-0 të skuadrës së tyre ndaj Çekisë, e cila e lë Shqipërinë shumë pranë kampionatit të dytë europian në historinë e saj. Një 2-0 ndaj Bullgarisë, një 0-0 ndaj Ishujve Faroe dhe një 1-1 ndaj Moldavisë lejuan që ëndrra të plotësohej.
Një ish-lojtar i Barcelonës, Silvinjo , fitues i 8 titujve si lojtar i Barcelonës, përfshirë 2 tituj të Champions League (një nën drejtimin e Frank Rajkard dhe një tjetër nën drejtimin e Pep Guardiolës) , është ‘arkitekti’ i kësaj skuadre shqiptare, të cilën do e drejtojë në europianin e “Gjermani 2024”. Dhe shorti i së shtunës së kaluar i bashkoi ata me askënd tjetër përveç Spanjës, Italisë dhe Kroacisë në fazën e grupeve.
Silvio Mendes Campos Zhunior, Silvinjo (Sao Paulo, 1974), luajti për Barcelonën midis 2004 dhe 2009. Mbrojtësi i majtë, ai bëri kërcimin në Evropë me Arsenalin më 1999 nga Korinthias , ku u stërvit. Në vitin 2001 ai u largua nga Premier Ligë për t’iu bashkuar futbollit spanjoll, te Selta Vigo, fanelën e së cilës e mbrojti deri në vitin 2004, kur nënshkroi për Barcelonën. Ai e përfundoi karrierën e tij si lojtar te Mançester Siti (2009-2010).
Ndërkombëtar për Brazilin në 6 raste, Silvinjo filloi si trajner te Lioni në vitin 2009, për të vazhduar te Korithians (2021-2022) dhe që nga janari 2023 është trajner i Shqipërisë, me shokun e tij te Siti dhe tek Espanjoli, Pablo Zabaleta. Ky i fundit me Argjentinën 58 ndeshje, si asistent.
Ashtu si lojtarët e tij, Silvinjo tashmë është bërë një hero shqiptar . Madje ai u dekorua me “Shqiponjën e Artë”, një nderim që ia dha kryeministri Edi Rama. Nëse Xhani De Biazi ia doli ta çonte skuadrën në Europianin e parë në “Francë 2016”, ish-lojtari i Barcelonës e ka çuar në të dytin. Më 24 qershor Shqipëria do të përballet në fazën e grupeve me Spanjën (fituese të 3 kampionateve europiane).
Në rekordin e Silvinjos, si lojtar në futbollin evropian ka një Community Shield të fituar me Arsenalin (1999) dhe jo më pak se 8 tituj me Barcelonën, 2 Champions League (2005-2006 dhe 2008-2009), 3 Liga (2004 -2005 , 2005-2006, 2008-2009), një Kupë (2008-2009) dhe 2 Superkupa Spanjolle (2004-2005 dhe 2008-2009).
Sot eksperiencën e tij në futboll e vë në shërbim të kësaj përralle futbolli që po përjeton Shqipëria. “Ëndërrojmë të kemi një Eurokupë të shkëlqyer kundër skuadrave të preferuara, por edhe që kjo të ketë vazhdimësi, për të vazhduar zhvillimin e këtij projekti”, tha Silvinjo”, thuhet në artikullin e “Mundo Deportivo”.
Lini një Përgjigje