
Milani ka marrë një fitore me plot vuajtje në transfertë ndaj Leçes, ndeshje e vlefshme për javën e 28 në Serinë A. Kuqezinjtë e Serxho Konseisaos shënuan që pa vajtur minuta e parë, me Santiago Gimenez, pas asistit të Teo Hernandez. Por, festa e kuqezinjve u prish nga ndërhyrja e VAR-it, që e cilësoi golin e parregullt për pozicion jashtë loje të sulmuesit meksikan.
Në minutën e 6, rezultati u zhbllokua, por ketë herë ishin vendasit ata që festuan. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Helgason bëri gjithçka mirë dhe pasoi për Nikola Krstovic, i cili me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, dërgoi topin në rrjetën e Sportielos.
Në minutën e 15, goditje dënimi për Milanin, Teo Hernandez krosoi bukur në zonë dhe Mateo Gabia dërgoi topin në rrjetë. Sërish festa e kuqezinjve u prish nga VAR-i, që e anuloi dhe këtë herë golin për pozicion jashtë loje të mbrojtësit kuqezi. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Leçen.
Në mintën e 58, ishte sërish Nikola Krstoviç që shënoi golin e dytë për vendasit me një tjetër goditje të bukur, por këtë herë brenda zonës.
Pikërisht atëherë kur u mendua se kuqezinjtë ishin dorëzuar, ata reaguan duke shënuar dy gola të shpejtë brenda 4 minutash. Fillimisht në minutën e 68, goditja e Zhoa Feliks u devijua në mënyrë të pafat në rrjetën e tij nga Galo. 4 minuta më pas, Milano barazon shifrat falë penalltisë të shndërruar në gol nga Kristian Pulisiç.
Në minutën e 80 erdhi përmbysja e madhe, falë një super asisti të Rafa Leaos, Pulisiç i pamarkuar në zonë, dërgoo topin në rrjetë. Përfundimisht Milani fiton më shifrat 2-3 në transfertën e vështirë në “Via del Mare” të Leçes së Ylber Ramadanit dhe Medon Berishës.
Lini një Përgjigje