
Etnik Brruti është futbollisti i radhës që ka zgjedhur të largohet nga Kosova për të përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë.
Pavarësisht se lojtari konfirmoi për “Telegrafin” ftesën dhe se ende nuk ka vendosur, shumë gjëra kanë ndodhur ditët e fundit.
Brruti ndodhet në Shqipëri për t’u pajisur me pasaportën shqiptare, teksa ka vendosur përfundimisht të përfaqësojë Kombëtaren Kuq e Zi.
Burime të “Telegrafit” tregojnë se 21-vjeçari ka dërguar një letër të gjatë në FFK, ku ka informuar Federatën Kosovare të Futbollit se ka vendosur të largohet në drejtim të Shqipërisë.
“Unë kam vendosur të largohem në drejtim të Shqipërisë. Do ta marrë pasaportën shqiptare për të bërë transferim në ndonjë ligë tjetër ku pasaporta shqiptare më ndihmon më shumë. Dua të shoh të ardhmen time në nivel klubesh dhe të ardhmen e familjes sime”, thuhet ndër të tjera në letrën që Brruti i ka dërguar FFK-së.
Por nuk ishte vetëm letra e Brrutit që ka shkuar në adresë të institucionit të futbollit kosovar, pasi një e tillë është dërguar edhe nga FSHF-ja.
Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka bërë kërkesë në FFK që t’i jepet dokumentacioni Brrutit në mënyrë që ta dërgojnë në FIFA për ndryshim të ekipit kombëtar.
Mesfushori i lindur në Kaçanik ka luajtur me të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Kosovës, madje ka qenë edhe kapiten i U-21.
Ai ishte një nga futbollistët potencial për Kombëtaren A. Trajneri i Kosovës, Franko Foda e kishte në listën e dëshirave pasi e ka parë nga afër në disa ndeshje.
Gjithsesi lojtari ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë./Telegrafi
Lini një Përgjigje