
Vazhdon ecuria pozitive e Milanit në Serinë A. Kuqezinjtë kanë barazuar 1-1 me Komon në ndeshjen e prapambetur të javës së 24 dhe shkojnë kështu në 24 ndeshje radhazi pa humbje.
Kjo sfidë u shty për shkak të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore më datën 8 shkurt, kur ishte programuar që të luhej ndeshja.
Sfida u zhbllokua në minutën e 32-të, pas një gabimi të portierit të Milanit, Majk Menjo. Nga pasimi i gabuar i francezit përfitoi Niko Paz, i cili e dërgoi topin në rrjetë pa vështirësi, duke kaluar Komon në avantazh.
Skuadra e drejtuar nga Çesk Fabregas dominoi pjesën e parë si në lojë, ashtu edhe në rezultat, duke e mbyllur fraksionin e parë në avantazh 0-1.
Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i Milanit aktivizoi katër zëvendësime të menjëhershme, që ndryshuan ritmin e lojës së vendasve. Presioni i kuqezinjve u konkretizua në minutën e 64-të, kur Rafael Leao barazoi shifrat.
Sulmuesi portugez përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit të Komos, Butez, pas asistit të Ardon Jasharit, dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-1. Pas golit, Leao festoi me Menjo, i cili kishte ndjerë peshën e fajit për golin e pësuar në pjesën e parë.
Në minutën e 80-të, trajneri Maks Alegri u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me një nga anëtarët e stafit të Komos, duke shtuar tensionin në minutat e fundit të takimit.
Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit, me ndeshjen që u mbyll në barazim 1-1.
Pas 25 javësh kampionat, Milani renditet në vendin e dytë me 54 pikë, shtatë më pak se kryesuesit e Interit. Nga ana tjetër, Komo mban vendin e gjashtë me 42 pikë, duke vijuar ecurinë pozitive në këtë sezon.
Lini një Përgjigje