
Një lajm i trishtë ka tronditur futbollin italian. Ish-futbollisti Kristian Jidai u gjet i pajetë në Lido Adriano, gjatë natës mes 17 dhe 18 shkurtit 2026, teksa ishte në shërbim në Policinë e Ravenës.
Jidai, i lindur në Avelino në vitin 1987, u formua në akademinë e Çezenës, ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist. Ai spikati që në moshë të re me Bellaria-Igea Marina, përpara se të rikthehej në radhët e Çezenës në Serinë B. Në vitin 2008 u transferua te Mantova, duke vijuar karrierën në nivelet e larta të futbollit italian.
I njohur si mbrojtës i fortë dhe fleksibël, Jidai ndërtoi një karrierë të qendrueshme kryesisht në Serinë C dhe D. Ai veshi fanelat e skuadrave si Basano, Novara, Leço dhe San Kristoforo. Një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij ishte ajo me Forlì, ku regjistroi 44 ndeshje dhe shënoi një gol. Karrierën si futbollist aktiv e mbylli në vitin 2016 me Pro Patria.
Pas tërheqjes nga futbolli, Jidai zgjodhi t’i shërbente komunitetit duke veshur uniformën e policisë. Ai punoi fillimisht në Policinë Lokale të Gambetolës, deri në korrik të vitit të kaluar, dhe më pas u transferua në komandën provinciale të Ravenës.
Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh te kolegët, miqtë dhe familjarët, ndërsa rrethanat e ngjarjes nuk janë bërë ende publike. Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme në vijim.
Lini një Përgjigje