TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Shkurt 2026, 21:08

Drejtuesit përpiqen të ndryshojnë kushtet e kontratës, Ernest Muçi përplas Trabzonsporin me Beshiktashin

Shkruar nga Pamfleti

Drejtuesit përpiqen të ndryshojnë kushtet e kontratës,

Ernest Muçi vijon të mbetet një nga çështjet më të rëndësishme në merkaton turke. Mesfushori me tipare sulmuese, i huazuar te Trabzonspori nga Beshiktashi për shumën 1 milion euro, ka bindur drejtuesit dhe stafin teknik me paraqitjet e tij në muajt e fundit.

Sipas raportimeve në Turqi, Trabzonspori zotëron të drejtën e blerjes së kartonit të lojtarit, por drejtuesit e klubit po përpiqen të negociojnë për të ulur shifrën e parashikuar në marrëveshje. Për të siguruar përfundimisht shërbimet e Muçit, Trabzonspori duhet të paguajë 8.5 milionë euro.

Nga ana tjetër, Beshiktashi nuk duket i gatshëm të negociojë çmimin e vendosur. Klubi i Stambollit është i kënaqur me zhvillimin dhe formën e lojtarit, i cili prej rreth tre muajsh raportohet si një nga futbollistët më produktivë të skuadrës ku aktivizohet.

Trajneri i Trabzonsporit, Fatih Teke, së bashku me drejtuesit e klubit, janë shprehur të bindur nga performancat e Muçit, çka e ka kthyer çështjen e transferimit të tij në prioritet për verën e ardhshme.

Ndërkohë, te Beshiktashi ekziston bindja se interesi për lojtarin mund të rritet edhe nga klube të tjera, duke shtuar konkurrencën për shërbimet e tij. Duke qenë se kontrata e Muçit me Beshiktashin është e vlefshme deri në vitin 2027, drejtuesit e klubit nuk pritet të rrezikojnë një largim pa përfitim financiar.

Bazuar në zhvillimet aktuale, një transferim i përhershëm gjatë verës konsiderohet i mundshëm, qoftë te Trabzonspori, qoftë në një destinacion tjetër. Megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet i lidhur me negociatat mes klubeve dhe ofertat që mund të paraqiten në muajt në vijim.

ernest muçi sulmuesi shqiptar beshiktash trabzonspor

Lini një Përgjigje