Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj bonusit prej 5 mijë lekësh të akorduar nga qeveria për pensionistët, duke e cilësuar atë një masë të përkohshme që, sipas saj, nuk mjafton për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaron se pensionistët në Shqipëri përfitojnë pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa përballen me çmime që po afrohen gjithnjë e më shumë me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh kur gjithçka është shtrenjtuar? Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm sa 20% e mesatares europiane”, shprehet Tabaku.
Deputetja demokrate argumenton se çmimet e produkteve të bulmetit janë 36% më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa Shqipëria, sipas saj, shpenzon vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e shëndetësisë.
Tabaku thekson gjithashtu se bonusi për rreth 777 mijë pensionistë ka një kosto prej afërsisht 35 milionë eurosh për buxhetin e shtetit, ndërsa e krahason këtë shifër me koston e koncesionit të rrugës Milot–Balldren, që sipas saj ka arritur në rreth 360 milionë euro.
Sipas saj, bonuset sezonale nuk mund të zëvendësojnë politika afatgjata për rritjen e pensioneve dhe garantimin e një jetese dinjitoze për të moshuarit.
"Çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh, kur gjithçka është shtrenjtuar? Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm sa 20% e mesatares së Bashkimit Europian.
Vetëm produktet e bulmetit, djathi dhe qumështi, janë 36% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Shpenzimet për shëndetësinë janë vetëm 2.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Këto janë të gjitha të dhëna që tregojnë se 5 mijë lekëshi për 777 mijë pensionistë është thjesht një lëmoshë.
Janë pothuajse 35 milionë euro, ndërkohë që, me një të rënë të lapsit, koncesioni i rrugës Milot–Balldren ka shkuar në 360 milionë euro, dhjetë herë më shumë.
Kjo tregon se sa vlejnë pensionistët për qeverinë shqiptare.
Pensionistët nuk vlejnë pothuajse asgjë për këtë qeveri.
Bonusi sezonal dhe lëmosha sezonale nuk i ndihmojnë pensionistët të kenë një jetë më dinjitoze.
Ndërkohë që buxheti i shtetit është i mbushur me abuzime dhe është kthyer në strehë për korrupsionin, tenderat, koncesionet, asetet publike dhe faljet e taksave, për 777 mijë pensionistë ka vetëm një lëmoshë sezonale prej 5 mijë lekësh.", shprehet Tabaku.
Lini një Përgjigje