
Bashkimi Evropian i ka kërkuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të sigurojë që tifozët evropianë të jenë të mbrojtur gjatë udhëtimit të tyre në Shtetet e Bashkuara për Kupën e Botës këtë verë. Këtë e konfirmoi për median Euractiv komisioneri evropian për Sportin.
Disa grupe tifozësh në Evropë kanë shprehur shqetësime për klimën aktuale të sigurisë në SHBA, duke përfshirë operacionet e profilit të lartë për zbatimin e ligjit të imigracionit. Ata kanë kërkuar garanci përpara nisjes së turneut.
Komisioneri për politikat sportive në BE, Glenn Micallef, deklaroi për Euractiv se zhvilloi një bisedë “konstruktive” me Infantinon në Bruksel javën e kaluar, në kuadër të një kongresi të UEFA-s.
“I kërkova të mbajë parasysh sigurinë e tifozëve që udhëtojnë, kur të flasë me organizatorët”, tha Micallef në një intervistë ekskluzive për Euractiv. Ai shtoi se ka qenë në kontakt me grupet zyrtare të tifozëve lidhur me shqetësimet e tyre për sigurinë.
“Duhet të angazhohemi në dialog me organizatorët dhe me FIFA-n për të garantuar që çdo person që udhëton drejt SHBA-së të jetë i sigurt”, theksoi zyrtari maltez.
Tetë përfaqësuese kombëtare nga vendet e BE-së do të marrin pjesë në Kupën e Botës, e cila zhvillohet në qershor dhe korrik. Turneu organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, ndërsa shumica e ndeshjeve do të zhvillohen në territorin amerikan.
Sipas Euractiv, agjentë të Shërbimit Amerikan për Imigracionin dhe Doganat (ICE) shoqëruan delegacionin amerikan në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali, një veprim që shkaktoi reagime për shkak të polemikave rreth veprimeve të agjencisë në SHBA. Drejtuesi i ICE ka deklaruar para Kongresit se agjencia do të jetë pjesë e operacioneve të sigurisë për turneun.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit u përgjigj në sfond, duke theksuar se “siguria e ndeshjeve të Kupës së Botës, sportistëve, tifozëve dhe ambienteve, si dhe siguria e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara, përbëjnë prioritet kryesor për vendin pritës”.
Brukseli e konsideron Infantinon një ndërmjetës kyç, duke pasur parasysh marrëdhënien e tij të afërt me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin ai ka marrë pjesë në disa aktivitete publike. Në dhjetor, Infantino i akordoi Trump-it çmimin e parë të FIFA-s për “paqen”.
Ronan Evain, drejtor ekzekutiv i organizatës Football Supporters Europe, i cili u takua me Micallef në Bruksel, deklaroi se mirëpret angazhimin e komisionerit, pasi beson se ai mund të ndikojë te presidenti i FIFA-s.
Evain shprehu shqetësim të veçantë për faktin se SHBA nuk po lejon disa vende pjesëmarrëse, si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, të dërgojnë delegacione policore për të shoqëruar tifozët, siç ndodh zakonisht në Botërore. Ai i kërkoi FIFA-s të sqarojë “doktrinën e sigurisë”, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikon të duket e papërgatitur.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në turne, Micallef tha se nuk ka marrë ftesë dhe e cilësoi ngjarjen “shumë të kushtueshme”.
Komisioneri, i cili luan vetë futboll, kritikoi gjithashtu sistemin e “çmimit dinamik” të FIFA-s për biletat, duke argumentuar se ai mund të përjashtojë tifozët nga pjesëmarrja. “Çmimet janë tepër të larta. Kam parë disa që arrijnë në mijëra euro”, tha ai për Euractiv.
Lini një Përgjigje