TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Shkurt 2026, 17:02

Nisin shqetësimet te FIFA 4 muaj para Kupës së Botës, stadiumi hapës rrezikon të mos jetë gati për ndeshjen inauguruese të Botërorit (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Nisin shqetësimet te FIFA 4 muaj para Kupës së Botës,

Janë shtuar shqetësimet lidhur me përfundimin në kohë të punimeve në stadiumin legjendar “Estadio Azteca”, i cili sipas planit pritet të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 në Mexico City.

Turneu madhor do të nisë më 11 qershor 2026 dhe për herë të parë në histori do të organizohet në tre shtete: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Sipas programit aktual, sfida e parë e kompeticionit, mes përfaqësueses së Meksikës dhe Afrikës së Jugut, është parashikuar të zhvillohet pikërisht në “Azteca”, një nga impiantet më ikonike të futbollit botëror.

Megjithatë, javët e fundit kanë dalë në pah dyshime serioze mbi ritmin e punimeve në stadium. Procesi i rinovimit duket se nuk ka përfunduar ende, duke ngritur pikëpyetje nëse impianti do të jetë plotësisht gati për të pritur eventin më të madh të futbollit global.

Situata mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ecurinë e disa përfaqësueseve, përfshirë Anglinë e drejtuar nga trajneri Tomas Tuhel. Në rast se “Tre Luanët” do të renditen në vendin e parë në grupin e tyre, ekziston mundësia që në fazën e 1/8-ave të përballen me Meksikën, me ndeshjen që, sipas skenarit aktual, do të zhvillohej në “Azteca”.

Pamje të fundit nga gjendja e stadiumit janë publikuar nga YouTuberi Armand Alehandre, i cili ka vizituar nga afër objektin. Në videon e shpërndarë prej tij shihen punime në zhvillim në pjesën e jashtme të impiantit, ndërsa edhe brenda stadiumit procesi i rikonstruksionit vijon.

Me vetëm katër muaj të mbetur deri në nisjen e Kupës së Botës, mbetet për t’u parë nëse punimet do të përfundojnë brenda afateve të parashikuara dhe nëse “Estadio Azteca” do të jetë gati për të pritur ndeshjen hapëse të turneut.

 

stadiumi i meksikës kupa e botës

Lini një Përgjigje