
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, përjetoi një mbrëmje të vështirë në përballjen mes Dortmundit dhe Atalantës, e vlefshme për fazën e 1/16-ave të Champions League. Bergamaskët u mposhtën 0-2 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Signal Iduna Park”, ndërsa mbrojtësi shqiptar ishte në qendër të kritikave për paraqitjen e tij.
Atalanta nuk arriti të përballonte presionin e vendasve, duke pësuar dy gola që komplikojnë kualifikimin për ndeshjen e kthimit. Në analizat pas takimit, Gjimshiti u veçua për një performancë nën pritshmëri, ndryshe nga paraqitjet e tij të zakonshme ku shpesh është konsideruar një pikë referimi në repartin defensiv.
Sipas mediave italiane, përgjegjësia për golin e dytë rëndon kryesisht mbi mbrojtësin 32-vjeçar. Portali “TuttomercatoWeb” u shpreh kritik ndaj tij, duke theksuar se në momentin e aksionit vendimtar, Gjimshiti ishte “inekzistent në mbulim ndaj Girasi”, i cili më pas asistoi për Beier.
“Ndeshja e Gjimshitit zgjati vetëm pjesë e parë, ama ishte e mbushur me gabime serioze. Te goli i dytë, Berati u pa inekzistent në mbulim ndaj Girasi, i cili asistoi i qetë drejt Beier.
U ndëshkua me karton të verdhë për shkak të nervozimit dhe protestave. I hutuar”, shkruan “TuttomercatoWeb” për rendimentin e Gjimshiti karshi Dortmundit, ndërsa e vlerëson me notën 5.
Mbetet për t’u parë nëse kapiteni i Kombëtares do të reagojë në sfidën e kthimit, ndërsa Atalanta do të kërkojë përmbysjen për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Lini një Përgjigje