
Ka përfunduar pjesa e parë e derbit të kryeqytetit në stadiumin “Air Albania” me avantazhin minimal të Partizanit ndaj Tiranës, me rezultatin 1-0. Goli u shënua që në minutën e 7-të nga Hjumën, pas një goditjeje këndi, duke përfituar nga hutimi i mbrojtjes bardheblu dhe dalja e pafuqishme e Tafas.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e ashpër dhe shumë ndërprerje, ku nuk munguan as kartonët e verdhë: Toma dhe Janjeva për Partizanin, ndërsa Dembele i Tiranës u ndëshkua me faull për ngritje të rrezikshme të këmbës në zonë. Nga ana tjetër, Haxhiu u përpoq të krijonte rrezik me disa depërtime dhe një goditje dënimi, por pa sukses në finalizim.
Në minutat shtesë, Partizani rrezikoi sërish me Koten, i cili gjeti portën por aksioni u ndërpre për prekje të topit me dorë nga bashkëlojtari i tij. Tirana pati disa tentativa të vakëta me Tabekun dhe Taren, por mbrojtja e të kuqve dhe portieri Qirko mbetën të pakalueshëm.
Përballja mbetet e hapur dhe pjesa e dytë pritet me shumë tension, pasi Tirana duhet të reagojë për të shmangur një tjetër humbje që do thellonte krizën e rezultateve. Ndërkohë, Partizani do të kërkojë të mbyllë llogaritë dhe të marrë një fitore me shumë peshë psikologjike dhe sportive.
Lini një Përgjigje