TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Gusht 2024, 16:30

Mbape dërgon PSG në UEFA për 55 mln euro detyrime financiare, ja çfarë rrezikon skuadra franceze nëse vërtetohen akuzat

Shkruar nga Pamfleti

Mbape dërgon PSG në UEFA për 55 mln euro detyrime financiare, ja

Përplasja mes Kilië Mbape dhe PSG-në ka shënuar një kapitull të ri. Ashtu siç kishte premtuar mamaja e tij, Fajza Lamari, ata nuk kanë ndërmend t’i falin asnjë qindarkë ish-klubit të sulmuesit, PSG.

Dy muaj më parë, avokatët e lojtarit pretenduan nga klubi parizien një sërë shumash financiare që nuk i kishte mbledhur dhe sipas futbollistit i përkasin atij. Sipas “Le Monde”, lojtari aktual i Realit të Madridit ka hedhur një hap më tej dhe ka kontaktuar komisionin ligjor të Ligës Franceze dhe UEFA-s, përmes Federatës Franceze të Futbollit për të kërkuar afro 55 milionë euro.

Shuma e kërkuar nga Mbape përfshin një të tretën e fundit të një bonusi nënshkrimi (36 milionë euro bruto) që lojtari duhej të merrte në shkurt; tre muajt e fundit të pagës të parashikuar në kontratën e tij (prill, maj dhe qershor), si dhe një “bonus etik” edhe gjatë këtyre tre muajve. Avokatët e lojtarit ia kanë komunikuar situatën PSG-së në mesin e qershorit, por ata kanë vendosur të bëjnë një hap më tej për të bërë të efektshme pagesat nga “Qatar Sports Investment”, aksioneri kryesor i klubit francez.

E në rast se diçka e tillë provohet, klubi francez rrezikon penalizme shumë të rënda.

Disa nga opsionet më të mundshme të dënimeve që mund të marrin kampionët francezë janë: bllokimi i merkatos hyrëse dhe më ekstremja përjashtimi i klubit nga Champions League, e cila do të ishte një masë shumë e rëndë që do të dëmtonte jo vetëm financiarisht skuadrën, por mbi të gjitha do t’i dëmtonte jashtëzakonisht shumë imazhin. “Lufta” PSG-Kilië Mbape sapo ka nisur, në ditët në vijim do të mësojmë akoma më shumë lidhur me këtë çështje.

Reali i Madridit – Ndërsa përfaqësuesit e tij ligjor vazhdojnë punën për “grumbullimin” e parave nga PSG-ja, vetë Mbape është tërësisht i përqendruar te Reali i Madridit. Së fundmi, numri nëntë i “Los Blancos” ka komentuar barazimin 1-1 përballë Majorkës, duke premtuar kthesën këtë fundjavë në “Santiago Bernabeu”.

Barazimi në Majorka ishte zhgënjyes. Nuk luajtëm mirë, por jam i bindur se do të reagojmë fort në takimin e radhës në fushën tonë. E dimë se çfarë mundësish kemi, çfarë kapacitetesh kemi. Shpresojmë që para publikut në Madrid të bëjmë një paraqitje krejt ndryshe”, komentoi Mbape në profilin e tij në rrjetet sociale.

 

kilië mbape sulmuesi francez psg uefa

Lini një Përgjigje