Situata te Milani vijon të mbetet e tensionuar, në një moment kur kuqezinjtë rrezikojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Presioni mbi trajnerin Masimiliano Alegri është shtuar ndjeshëm, ndërsa tifozët kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj mënyrës së administrimit të klubit nga Xhorxho Furlani.
Ish-drejtuesi i njohur italian, Luçiano Moxhi, ka zbuluar së fundmi detaje mbi një konflikt të brendshëm në ambientin kuqezi. Sipas tij, marrëdhënia mes Alegrit dhe Zlatan Ibrahimoviçit është përkeqësuar deri në pikën që dyshja nuk komunikon më me njëri-tjetrin.
“Për momentin, te Milani ekziston një lloj lufte e ftohtë, ku të gjithë flasin pas shpine pa ia thënë hapur mendimet njëri-tjetrit. Përjashtim bëjnë vetëm Alegri dhe Ibrahimoviç, të cilët janë përplasur dhe nuk shihen më bashkë”, deklaroi Moxhi.
Ai shtoi se, pas kësaj situate, trajneri është kthyer në objektiv kritikash, pavarësisht se objektivi kryesor i vendosur prej tij ka qenë sigurimi i një vendi në Champions League.
“Nëse do ta arrinte kualifikimin në Ligën e Kampionëve, atëherë do të kishte përmbushur objektivin e klubit”, u shpreh më tej Moxhi.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të shumta te tifozët e Milanit, sidomos duke pasur parasysh se Ibrahimoviç konsiderohej një nga mbështetësit kryesorë të rikthimit të Alegrit në pankinën kuqezi.
Lini një Përgjigje