
Skuadra e Portugalisë në futboll u mblodh për herë të parë pas humbjes tragjike të Diogo Zhotës, ish-sulmuesit të Liverpulit dhe kombëtares luzitane, i cili ndërroi jetë në korrik së bashku me vëllanë e tij në një aksident automobilistik.
Në prag të sfidave kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Armenisë dhe Hungarisë, skuadra e drejtuar nga Roberto Martínez zhvilloi një ceremoni prekëse në qendrën stërvitore të Lisbonës për të kujtuar Zhotën.
Moment emocionues ishte zbulimi i një fanele bronzi me emrin e tij, të cilën e bëri publike bashkëshortja Rute Kardoso, të cilët e kishin vetëm 11 ditë nga martesa e tyre. Në ceremoni morën pjesë Kristiano Ronaldo, shokët e ekipit kombëtar, familjarë, agjenti Horge Mendes, si dhe drejtuesit më të lartë të ekipit portugez.
Ruben Neves, një nga miqtë më të ngushtë të Zhotës, e nderoi duke bërë tatuazh momentin e përqafimit të tyre dhe ka vendosur të mbajë fanelën me numrin 21 në kombëtare, për ta përjetësuar përgjithmonë.
“Më shumë se miq, ne jemi familje. Diogo do të jetë gjithmonë me ne, në fushë e jashtë saj”, tha Neves me lot në sy.
Portugalia synon të sigurojë kualifikimin, por mbi të gjitha, të mbajë gjallë kujtimin e një prej lojtarëve më të dashur të saj.
Lini një Përgjigje