TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Prill 2026, 18:01

“Kush s’kërcen është mysliman”, policia nis hetimet për thirrjet raciste ndaj Jamal në miqësoren Spanjë-Egjipt

Shkruar nga Pamfleti

“Kush s’kërcen është mysliman”, policia nis

Një incident i rëndë ka shoqëruar ndeshjen miqësore mes Spanjës dhe Egjiptit, e përfunduar 0-0, ku një pjesë e tifozëve vendas kanë artikuluar kore me përmbajtje diskriminuese. Ngjarja ka nxitur reagime të menjëhershme nga autoritetet, përfaqësuesit e sportit dhe vetë lojtarët.

Sipas raportimeve, gjatë pjesës së parë të ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Espanjolit në Barcelonë, një grup tifozësh spanjollë brohoritën:

Kush nuk kërcen është mysliman”, një thirrje e cilësuar si fyese dhe me bazë fetare.

Koret u dëgjuan në një ndeshje kundër Egjiptit, një vend me shumicë myslimane, duke e bërë incidentin edhe më të ndjeshëm në aspektin kulturor dhe fetar.

Sulmuesi i Spanjës, Lamin Jamal, edhe pse nuk ishte objektiv i drejtpërdrejtë i thirrjeve, u shpreh i prekur nga situata.

Jam mysliman, alhamdulillah (Lavdi Zotit). Dje në stadium u dëgjua kori ‘kush nuk kërcen është mysliman’. E di që i ishte drejtuar skuadrës kundërshtare dhe jo një sulm personal ndaj meje, por si mysliman që jam e konsideroj këtë gjest si një mungesë respekti dhe të patolerueshëm.”

E kuptoj që jo të gjithë tifozët janë kështu, por atyre që këndojnë kore të tilla iu them: të përdorësh besimin fetar si fyerje në fushë ju nxjerr injorantë dhe racistë. Futbolli është për t’u argëtuar dhe për të mbështetur skuadrat dhe jo për të treguar mungesë respekti ndaj personave për atë që janë apo atë që besojnë.”

Ministri i sporteve në Katalonjë, Berni Alvarez, e cilësoi ngjarjen si shumë serioze:

Është normale që ai është i prekur nga ajo që ndodhi. Do të përpiqemi ta mbështesim nëse mund të kontaktojmë me të. Ajo që ndodhi ishte e mjerueshme. Është një çështje jashtëzakonisht serioze të cilën ne e dënojmë absolutisht. Është një hap masiv prapa. Më e keqja është se gjithçka ishte planifikuar. Ata që brohorisnin erdhën në ndeshje për të përhapur gjuhë urrejtjeje. Dyshoj se shumë prej atyre që ishin të përfshirë kishin ndonjë lidhje me botën e sportit.”

Ndërkohë, trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente, reagoi ashpër:

Ndjej një neveri totale dhe absolute ndaj çdo sjelljeje ksenofobe apo raciste. Janë të patolerueshme.”

Policia lokale katalanase, Mossos d’Esquadra, ka konfirmuar nisjen e një hetimi për britma islamofobike dhe ksenofobike” gjatë ndeshjes. Burime mediatike bëjnë me dije se edhe FIFA pritet të analizojë raportet e ndeshjes dhe provat video. Spanja mund të përballet me masa disiplinore, në varësi të përfundimeve të hetimit.

Ndeshja përfundoi në barazim 0-0, por rezultati u la në hije nga incidenti në tribuna.

Lamin Jamal, 18 vjeç, konsiderohet një nga yjet kryesorë të Spanjës, pjesë e suksesit në “EURO 2024” dhe një element kyç për Botërorin e ardhshëm.

lamin jamal sulmuesi i spanjës miqësorja me egjiptin

Lini një Përgjigje