
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, është rikthyer në selinë e Federatës në via Allegri, pas natës së gjatë që pasoi eliminimin dramatik të Italisë nga gara për Botërorin 2026.
Kombëtarja italiane u mposht në Zenicë pas goditjeve të penalltive, duke dështuar për herë të tretë radhazi të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës, një rezultat që ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësim në opinionin sportiv.
Teksa hynte në zyrë, Gravina u ndal shkurtimisht para mediave dhe deklaroi: “Si jam? Mirë, mirë”, përpara se të tërhiqej për takime të brendshme.
Gjatë ditës pritet të caktohet data e mbledhjes së Këshillit Federal, e cila me gjasë do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, menjëherë pas festës së Paskueta.
Sipas deklarimeve të mëparshme, Gravina ka bërë të ditur se do t’ia lërë Këshillit Federal çdo vendim që lidhet me të ardhmen e tij në krye të Federatës, në një moment që konsiderohet kritik për drejtimin e futbollit italian.
Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, reagoi ashpër pas eliminimit, duke theksuar nevojën për rindërtim të plotë të sistemit.
“Qeveria ka treguar angazhimin e saj ndaj sportit italian përgjatë viteve. Nuk është korrekt të mohosh përgjegjësinë e saj për dështimin e tretë radhazi në Kupën e Botës, duke akuzuar vetëm institucionet,” deklaroi ai.
Abodi bëri të qartë se do t’i kërkojë presidentit të FIGC-së të japë dorëheqjen:
“Pres të tregojë dinjitet.”
Ministri falënderoi ekipin dhe stafin teknik për përpjekjet, por kritikoi mënyrën se si është menaxhuar futbolli italian.
“Futbolli është një sport, por në Itali ai ka marrë një rol kulturor dhe prestigj ndërkombëtar. Është e dhimbshme të mendosh se një brez i tërë fëmijësh nuk ka përjetuar emocionin e Kombëtares në një Kupë Bote,” u shpreh Abodi.
Ai shtoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për sportin, por theksoi se nevojiten “përgjegjësi, përulësi dhe respekt nga të gjithë aktorët”, duke nënvizuar se “Italia duhet të kthehet në skenën botërore të futbollit”.
I pyetur mbi mundësinë e vendosjes së FIGC-së nën administrim të veçantë, Abodi sqaroi se një masë e tillë mund të merret vetëm në kushte të caktuara ligjore.
Sipas Statutit të CONI-t, ndërhyrja emergjente mund të ndodhë vetëm në rast të parregullsive të rënda administrative, shkeljeve të rregulloreve sportive, pamundësisë së organeve drejtuese për të funksionuar ose pamundësisë për të garantuar zhvillimin normal të kampionateve.
Abodi solli në vëmendje precedentë të mëparshëm në futbollin italian, duke përmendur dorëheqjet pas dështimeve të mëdha:
“Abete u largua pas dështimit në Brazil, ndërsa i ndjeri Tavecchio bëri të njëjtën gjë pas eliminimit nga Suedia. Koha për të përmendur emra të rinj ende nuk ka ardhur, por duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës.”
Drejt, keshtu e ka gjithe bota. Humbe Kampionatin Kombetar 1-2 here hapahun o trainer, humbe Kampionatin Boteror 1-2 here hap krahun o trainer. Humbe fitoren per Parlament 1 here (jo 2 here) hap krahun e Kryetar. Jane Ligje Universale te Pashkruara, dmth, Ligje Strikte Morale, pike. Hap syte o popull, eh c'them dhe une, populli eshte zhdukur nga syte kembet.