TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Nëntor 2025, 19:23

Kombëtarja zhvillon stërvitjen zyrtare në “Air Albania”, ndjesë dhe duartrokitje në fjalimin e Brojës para ekipit

Shkruar nga Pamfleti

Kombëtarja zhvillon stërvitjen zyrtare në “Air

Situata e Armando Brojës ka qenë një nga më të diskutuarat pas fitores me Andorrën dhe kualifikimit në “play-off”. Sulmuesi refuzoi të merrte pjesë në festimet me ekipin pas ndeshjes dhe u mor me zor nga kapiteni Hysaj.

Më pas, ai u duk tejet i mërzitur dhe shmangu kontaktet me të tjerët në dhomat e zhveshjeve duke krijuar një situatë të pazakontë që e ktheu sulmuesin në temë diskutimi në opinionin publik, por edhe vetë brenda skuadrës.

Vetë trajneri Silvinjo sot në konferencë për mediat theksoi se kishte folur privatisht me Brojën ashtu si edhe me skuadrën për situata të tilla, pasi të gjithë duhej të bëheshin pjesë e grupit në të mrië e në të keq.

Edhe vetë Broja ka dashur t’i bëjë gjërat e qarta sot dhe në stërvitjen e fundit të Kombëtares, në stadiumin “Air Albania”. Para se të niste seanca, ka mbajtur një fjalim të shkurtër duke kërkuar ndjesë para ekipit. Një fjalim që është mbyllur me duartrokitje dhe buzëqeshje nga pjesa tjetër e skuadrës, që ka vlerësuar gjestin e sulmuesit për të mbyllur këtu këtë situatë para një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Anglisë.

Kombëtarja shqiptare do të përballet të dielën më 16 nëntor me Anglinë në ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit.

Ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”, aty ku kuqezinjtë kanë zhvilluar sot stërvitjen zyrtare në prag të përballjes.

Gjendja e ekipit duket shumë e mirë dhe të gjithë janë gati për duelin ndaj “Tre Luanëve”.

Anglia vjen në formë të shkëlqyer me shtatë fitore në po kaq ndeshje në kualifikuese, ndërsa ende nuk ka pësuar asnjë gol.

armando broja sulmuesi i kombëtares

1 Komente

  1. T
    Tony

    Anglia ka luajtur më ngordhesira kete radhe duke qene ngordhesire edhe vete. Që në 1966 Anglia ka pasur super ekipe e ka fituar hiç. Keta që janë tani janë hiç para nje 4-5 ekipeve të meparshem që kane qene me të vertete Luaner.

    Lini një Përgjigje