
Orë vendimtare për Kristjan Asllanin. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk ka pranuar ende ofertën që i ka bërë Bolonja për transferimin në radhët e kësaj skuadre.
Sipas ekspertëve të merkatos, Interi dhe Bolonja kanë gjetur një akord mes tyre dhe nuk do të takohen më për të diskutuar rreth mesfushorit derisa ky të vendosë përfundimisht për transferimin te Bolonja. Zikaltrit kanë rënë dakord të paguhen me 9 milionë euro, por edhe të mbajnë 40% të vlerës së shitjes së ardhshme të mesfushorit shqiptar.
Ndërkaq, situata mbetet plotësisht e hapur mes Asllanit dhe Bolonjës. Klubi i ka propozuar një rrogë prej 1,7 milionë eurosh në vit, por ai kërkon 2 milionë euro, duke mos pranuar zgjidhjet me bonuse që i janë ofruar deri tani. Sipas mediave italiane, Asllani kërkon 300 mijë euro më shumë.
Kjo negociatë po zgjat më shumë se sa mendonte Bolonja dhe për këtë arsye klubi po sheh rreth e rrotull për alternativa të tjera, me Hans Nikolusi-Kavilja që është një emër që u intereson kuqebluve të Serisë A. Nëse situata e Asllanit nuk ndryshon, atëherë Bolonja mund të hidhet në sulm për këtë të dytin dhe të ndalojë bisedimet rreth mesfushorit të Kombëtares shqiptare.
Lini një Përgjigje