
Shoqata e Trajnerëve të Futbollit në Itali, AIAC, ka kërkuar këtë të mërkurë që Izraeli të pezullohet nga garat ndërkombëtare të futbollit, për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Para ndeshjeve vendimtare të Italisë në kualifikueset për Kupën e Botës kundër Izraelit në muajt e ardhshëm, AIAC theksoi se “Izraeli duhet të ndalet. Edhe futbolli duhet të marrë masa”.
AIAC i ka dërguar një letër zyrtare Federatës së Futbollit të Italisë – e cila do t’u përcillet shtëpive të futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA – duke kërkuar pezullimin e Izraelit.
“Bordi i Drejtorëve i AIAC beson njëzëri se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, të cilat kanë shkaktuar edhe qindra viktima mes drejtuesve, trajnerëve dhe sportistëve … është e ligjshme, e domosdoshme, madje detyrim, që të vihet në qendër të bisedimeve në Federata, kërkesa që UEFA dhe FIFA të përjashtojnë përkohësisht Izraelin nga garat sportive”, thuhet në letër.
“Sepse, dhimbja e së kaluarës nuk mund ta errësojë ndërgjegjen e as njerëzinë e askujt”, thuhet më tej në letër.
Italia pritet të përballet me Izraelin në fushë neutrale në Debrecen të Hungarisë, më 8 shtator, para se t’i presë ata në ndeshjen e kthimit në Udine, më 14 tetor.
“Ne mund të përqendroheshim vetëm te loja, duke kthyer shikimin nga ana tjetër. Por, besojmë se kjo nuk është e drejtë”, tha nënkryetari i AIAC, Xhankarlo Kamolese.
Italia gjithashtu luajti kundër Izraelit në Udine tetorin e kaluar në një ndeshje të Ligës së Kombeve, e cila u shoqërua me protesta para dhe gjatë ndeshjes dhe masa të rrepta sigurie, përfshirë snajperë mbi çatinë e stadiumit.
Që atëherë situata ka vazhduar të përkeqësohet në Gaza, dhe numri i palestinezë të vrarë nga lufta gati dy vjeçare e ka kaluar shifrën prej 62.000 në fillim të këtij muaji.
“Bota është në flakë. Shumë palestinezë po vuajnë”, tha nënkryetari i AIAC, Françesko Perondi.
“Shpërfillja e kësaj është e papranueshme”, përfundoi ai./REL
Lini një Përgjigje