
Interi ka fituar 0-2 ndaj Atalantës në Bergamo, në ndeshjen e fundit të javës së 29 në Serinë A. Pavarësisht disa tentativave nga të dyja ekipet, pjesa e parë u mbyll 0-0.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 53 falë Karlos Agusto. Braziliani i harruar nga mbrojtësit e Atalantës, dërgoi me kokë topin në rrjetë pas krosimit të ardhur nga goditja e këndit nga Hakan Çalhanoglu.
Në minutën e 72, Interi realizoi me Lautaro Martinez, por gjyqtari e anluoi për faull ndaj Berat Gjimshitit. Në minutën e 81, vendasit mbetën me 10 lojtarë. Për protesta, Ederson u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë, braziliani nuk ishte dakord me vendimin e arbitrit dhe e ironizoi duke i duartrokitur në sy, gjest që i kushtoi shtrenjtë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe doli nga fusha e lojës.
Goli i sigurisë për zikaltrit erdhi në minutën e 87, ku Lautaro Martinez dërgoi topin në rrjetë pas asistit të marrë nga Barela. Në minutën e pestë shtesë, Bastoni mori të dytin e verdhë dhe barazon kështu Atalantën me 10 lojtarë.
Me këtë fitore, Interi ruan vendin e parë me 64 pikë, 3 pikë më shumë se Napoli i vendit të dytë. Atalanta mbetet në vendin e tretë me 58 pikë.
Lini një Përgjigje