
Fiorentina ka fituar 3-0 ndaj Juventusit në “Artemio Franchi”, sfidë e vlefshme për javën e 29 në Serinë A, duke i shkaktuar bardhezinjve humbjen e dytë radhazi. Ekipi vjollcë i drejtuar nga Rafaele Paladino, shënoi dy gola të shpejtë në më pak se 3 minuta.
Fillimisht ishte Robin Gosens që shënoi në minutën e 14 pas topit të ardhur nga goditja e këndit. Mesfushori gjerman provoi herën e parë me kokë, por topi u ndal nga mbrojtësit kundërshtar, herën e dytë Gosens “shkundi” rrjetën me një goditje të bukur.
Në minutën e 17, ishte Mandragora që shënoi golin e dytë, pas asistit të marrë nga Nikolo Faxholi, i cili është huazuar te Fiorentina pikërisht nga Juventusi.
Në fillim të pjesës së dytë, Fiorentina shënoi golin e tretë me Albert Gudmundson, islandezi realizoi një gol fantastik me një goditje shumë të bukur nga distanca. Shifrat përfundimtare, Fiorentina-Juventus 3-0. Pas kësaj fitoreje, Fiorentina ngjitet në vendin e tetë me 48 pikë, ndërsa Juventusi mbetet në vendin e pestë me 52 pikë.
Lini një Përgjigje