TAGS-AT E JAVËS

Sport16 Mars 2025, 20:07

Dinamo mban gjallë shpresat e Elbasanit për “Final Four”, Partizani dhe Teuta ndajnë pikët

Shkruar nga Pamfleti

Dinamo mban gjallë shpresat e Elbasanit për “Final Four”,

Elbasani dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 30 të Abissnet Superiore. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi në barazim 1-1. 

Golin për dinamovitët e shënoi Karamba që në minutën e 39. Ndërsa për golin e barazimit te verdheblutë mendoi mbrojtësi, Emiljano Musta, i cili shënoi në minutën e 73. 

Pas këtij barazimi, Elbasani mban gjallë shpresat për “Final 4”, me 37 pikë në vendin e 5, 7 pikë larg Partizanit që mban vendin e katërt. Në krahun tjetër, me 51 pikë, Dinamo renditet e dyta. 
 
Në ndeshjen tjetër, Partizani dhe Teuta kanë mbyllur ndeshjen mes tyre me një barazim pa gola që nuk ndryshon pozitat në klasifikim të të dy ekipeve. 
 
Në një ndeshje ku ka triumfuar mërzia dhe vërshëllimat e vazhdueshme për faulle të kryesorit Olsid Ferataj, u pa shumë pak lojë e mirëfilltë dhe raste të rrezikshme pranë portave, sidomos në pjesën e dytë ku kishte shumë pak minuta lojë efektive. 

Ndaj në fund të dy ekipet padyshim nuk kanë dalë shumë të kënaqura nga rezultati i një ndeshje për t’u harruar me kuptimin e plotë të fjalës. 
 
 

elbasani dinamo partizani teuta abissnet superiore

Lini një Përgjigje