TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Korrik 2026, 16:10

U eliminuan nga Belgjika, amerikanët nuk pranojnë humbjen dhe i kërkojnë Trump të rikthejë Amerikën në Botëror

Shkruar nga Paolo Tomaselli
U eliminuan nga Belgjika, amerikanët nuk pranojnë humbjen dhe i
Presidenti Amerikan, Donald Trump

Eliminimi i Shteteve të Bashkuara nga Kupa e Botës ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e tifozëve amerikanë kanë bërë me humor një kërkesë të pazakontë: që Presidenti Donald Trump të ndërhyjë për ta rikthyer kombëtaren në turne.

SHBA i dha fund aventurës në Botëror pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ve të finales, duke humbur mundësinë për të siguruar një vend në çerekfinale.

Pas ndeshjes, shumë përdorues në rrjetet sociale iu referuan një rasti të mëparshëm që lidhej me sulmuesin Folarin Balogun. Sipas pretendimeve të shpërndara online, pas kërkesave për rishikim, FIFA kishte pezulluar dënimin e futbollistit, duke i mundësuar aktivizimin ndaj Belgjikës.

Komentet me tone ironike nuk vonuan. Një tifoz shkroi: "SHBA mund ta fitojë ende Kupën e Botës nëse Donald Trump ka guximin." Një tjetër komentoi: "A mendoni se Trump do të bëjë një tjetër telefonatë për të kërkuar anulimin e fitores së Belgjikës? Nuk do të çuditesha."

Të tjerë shkuan edhe më tej me batutat e tyre, duke i kërkuar presidentit amerikan të telefononte presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino. "Përmbyseni rezultatin, ju lutem Donald Trump", shkruante një përdorues, ndërsa një tjetër shtonte: "Trump është në telefon tani duke kërkuar që rezultati të ndryshohet."

Në fushë, Belgjika dominoi takimin. Sharls De Keteler realizoi golin e avantazhit për belgët, ndërsa pas barazimit të përkohshëm të SHBA-së me Malik Tillman, ai shënoi sërish vetëm pak minuta më vonë. Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku vulosën fitoren 4-1, duke siguruar kualifikimin e Belgjikës.

Skuadra e drejtuar nga Mauricio Poçetino kishte kaluar me sukses disa pengesa në këtë Botëror, duke mposhtur Paraguain, Australinë, Turqinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por u ndal në fazën e 1/8-ve përballë Belgjikës.

Në rast se do të kishte siguruar kualifikimin, SHBA do të përballej me Spanjën në çerekfinale, pasi iberikët eliminuan Portugalinë e Cristiano Ronaldos me rezultatin 1-0.

donald trump presidenti amerikan kupa e botës

Lini një Përgjigje