Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka bërë një tjetër lëvizje strategjike për të ardhmen e Kombëtares, duke siguruar miratimin e talentit 17-vjeçar Adri Mehmeti, i cili aktivizohet me Nju Jork Red Bulls në MLS.
Sinjalet për afrimin e lojtarit me kuqezinjtë janë dhënë në mënyrë indirekte nga vetë FSHF, gjatë ditës së parë të punës së trajnerit të ri të Kombëtares, Rolando Maran.
Në pamjet e publikuara nga Federata, Maran shfaqet në një takim me ndihmësin e tij Ervin Bulku, i cili do të mbajë rolin e zëvendëstrajnerit në stafin teknik të Shqipërisë. Në zyrën ku zhvillohej takimi dalloheshin dy tabela me emrat e futbollistëve që konsiderohen pjesë e projektit kuqezi.

Në njërën prej tyre ishin të listuar lojtarët aktualë të Kombëtares, por edhe emra të rinj që kanë pranuar t’i bashkohen Shqipërisë, mes tyre edhe Luis Hasa. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte edhe emri i Adri Mehmetit, i shkruar me të kuqe në tabelë.
Mehmeti, i cili më herët ka qenë pjesë e Shqipërisë U-15, më pas zgjodhi të përfaqësonte ekipet zinxhir të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, duket se FSHF ka arritur ta bindë talentin e ri për t’u rikthyer te kuqezinjtë, duke i ofruar mundësinë për t’u përfshirë menjëherë në Kombëtaren A.
Prania e emrit të tij në grupin e lojtarëve në dispozicion të Maran lë të kuptohet se 17-vjeçari mund të jetë një nga risitë në listën e Shqipërisë për ndeshjet miqësore të muajit qershor.
Lini një Përgjigje