Një situatë e pazakontë ka shoqëruar përgatitjet e kombëtares së Tunizisë për Kupën e Botës 2026, pasi një nga talentet më premtuese të ekipit është lënë jashtë listës përfundimtare pas ndërhyrjes së familjes së tij.
Trajneri Sabri Lamushi ka vendosur të mos përfshijë sulmuesin 19-vjeçar Luej Ben Farhat, pas një telefonate që, sipas tij, erdhi nga babai i futbollistit. Ky i fundit i kishte komunikuar teknikut se djali i tij nuk ishte ende gati për një kompeticion të nivelit të Kupës së Botës, duke e konsideruar pjesëmarrjen si të parakohshme.
Deklarata e familjes duket se ka shkaktuar habi te stafi teknik i Tunizisë. Lamushi tregoi se kishte tentuar të kontaktonte edhe vetë lojtarin për të sqaruar situatën, por nuk kishte marrë përgjigje.
“Mora një telefonatë nga babai i Luej Ben Farhat. Ai më tha se ishte shumë herët për ta zgjedhur dhe refuzoi. U shokova. E telefonova Lueji, ai nuk u përgjigj. E telefonova përsëri babanë e tij, as ai nuk u përgjigj. Është mungesë respekti. Ky rast është mbyllur. Nëse nuk kemi respekt për këtë fanellë, për këtë flamur, nuk meritojmë të luajmë për Tunizinë”, deklaroi Lamushi.
Pas kësaj situate, trajneri vendosi të mbyllë çdo diskutim për përfshirjen e sulmuesit në turneun botëror, duke e lënë jashtë listës së ekipit.
Luej Ben Farhat, i lindur në Gjermani, konsiderohet një nga talentet në zhvillim të futbollit tunizian. Ai aktivizohet me Karlsruher në Bundesliga 2 në Gjermani dhe, pavarësisht një dëmtimi që e mbajti larg fushave në pjesën e parë të sezonit, u rikthye në formë të mirë gjatë gjysmës së dytë të kampionatit.
19-vjeçari debutoi me përfaqësuesen e Tunizisë muajin e kaluar në ndeshjet miqësore ndaj Haitit dhe Kanadasë, ku la përshtypje pozitive me paraqitjet e tij.
Lini një Përgjigje