Lamin Jamal ishte i pranishëm në darkën që skuadra e parë e Barcelonës organizoi në “Casanova Beach Club” për të festuar fitimin e titullit të kampionatit. Në aktivitet morën pjesë futbollistët, stafi teknik dhe presidenti i klubit, Joan Laporta.
Sulmuesi i ri katalanas tërhoqi vëmendjen edhe jashtë fushës, pasi u shfaq dorë për dore me influencuesen nga Sevilja, Ines Garsia. Dyshja ishte parë edhe pak ditë më parë gjatë pushimeve në bregdetin grek, duke shtuar spekulimet për një lidhje të mundshme mes tyre.
Jamal, i cili disa muaj më parë i dha fund raportit me këngëtaren argjentinase Niki Nikol, po vazhdon procesin e rikuperimit nga dëmtimi që pësoi në kofshën e pasme të këmbës së majtë gjatë ndeshjes ndaj Selta Vigos. Lëndimi erdhi pasi realizoi një penallti të fituar nga vetë ai.

Futbollisti i Barcelonës po tregohet i kujdesshëm në rikthimin e tij në fushë, me synimin për të qenë plotësisht gati për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Data që Jamal synon për rikthim është 27 qershori, kur Spanja do të përballet me Uruguain. Javën e kaluar, gjatë një aktiviteti të “King’s League”, ai bëri edhe shaka për gjendjen e tij fizike duke thënë: “Nuk do të prek asnjë top deri në Kupën e Botës”.
Sipas mediave spanjolle, komunikimi mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit po vazhdon në mënyrë të vazhdueshme, me palët që janë dakord të mos rrezikojnë aktivizimin e tij në dy ndeshjet e para ndaj Kepit të Gjelbër dhe Arabisë Saudite, nëse lojtari nuk është rikuperuar plotësisht.

Lini një Përgjigje