
Përfundon ndeshja çerekfinale e Ligës së Europës. Roma është mundur nga Fejnordi me rezultatin minimal 1-0.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, me skuadrën e Zhoze Murinjos që mendoi më shumë të mbrohej dhe me holandezët që nuk arritën të çanin murin verdhekuq. Lajmi i parë i keq për miqtë erdhi në minutën e 26 me dëmtimin e Dibalës, i cili u zëvendësua nga El Sharaui.
Megjithatë, rastin më të mirë të 45 minutave të para e pati Roma. Në minutën e 43, arbitri akordoi një penallti për verdhekuqtë, për shkak të një prekje të topit me dorë në zonën e rreptësisë.
Vendimi i arbitrit u konfirmua edhe nga përsëritja e imazheve dhe te pika e bardhë u paraqit Lorenco Pelegrini, i cili shpërdoroi mundësinë duke goditur shtyllën dhe duke falur Fejnordin.
9 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, holandezët zhbllokuan ndeshjen. Një aksion i bukur i ekipit i idejuar nga Osman Idrizi u finalizua nga “fantazisti” 23-vjeçar i holandezëve, Mets Uejfer me një goditje të bukur brenda zonës mposhti portierin Rui Patrisio.
Lajmi tjetër i keq për Romën erdhi në minutën e 58, kur Murinjo ishte i detyruar të hiqte dorë edhe nga Temi Abraham për shkak dëmtimi. Në vendin e tij u aktivizua Andrea Beloti.
Skuadra e Murinjos i shkoi shumë afër golit të barazimit në minutën e 63 të ndeshjes me një goditje me kokë të Ibanjez, që u largua pak para se të kalonte plotësisht vijën fatale të mbrojtjes vendase.
Lini një Përgjigje