TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Dhjetor 2025, 20:09

E frikshme në Gjermani, grabitet dhunshëm në shtëpi ish-menaxheri i Shumakerit

Shkruar nga Pamfleti

E frikshme në Gjermani, grabitet dhunshëm në shtëpi

Një incident i rëndë i ka ndodhur ish-menaxherit historik të Mikael Shumakerit, Uilli Ueber, i cili është sulmuar dhe është grabitur në shtëpinë e tij në Shtutgart.

Kam një sy të nxirë dhe ndihem tmerrësisht keq. Jam ende plotësisht i tronditur”, me këto fjalë e ka përshkruar Ueber për gazetën “Bild” gjendjen e tij pas agresionit të përjetuar në rezidencën e tij në fillim të kësaj jave.

Një goditje e rëndë për 83-vjeçarin, i cili ka kaluar një infarkt në vitin 2020 dhe një infeksion të rëndë dy vite më vonë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të martën e kaluar, kur tre persona të maskuar u futën herët në mëngjes në vilën e ish-menaxherit të Shumakerit.

Në shtëpi ndodheshin edhe ish-bashkëshortja e tij si dhe ndihmësja, ndërsa të tre u sulmuan dhe u lidhën. Sipas tabloidit gjerman, njëri prej tyre arriti të çlirohej dhe të thërriste policinë, por autorët, tre persona me kapuç dhe veshje të errëta, ende nuk janë identifikuar. Hajdutët u larguan me para dhe bizhuteri me vlerë prej qindra mijëra eurosh, të marra nga kasafortat e vilës së madhe katërkatëshe të familjes Ueber në Shtutgart.

Ueber konsiderohet si zbuluesi i Mikael Shumakerit, pasi afroi atë në vitin 1989 për të garuar në kampionatin gjerman, të cilin Shumi e fitoi një vit më vonë në 1990-ën. Më pas ndërmjetësoi kalimin e pilotit te Mercedesi për garat e Kampionatit Botëror të “Endurance” dhe e çoi në debutimin e tij në Formula 1 me Jordaninë në Çmimin e Madh të Belgjikës në vitin 1991.

Përveç Mikaelit, Ueber ka menaxhuar edhe vëllain e tij Ralf si dhe Niko Hulkenbergun. Jashtë botës së sportit, menaxhimi i tij ka përfshirë në të kaluarën edhe supermodelet Naomi Kambell dhe Klaudia Shifer.

mikael shumaker uilli ueber menaxheri i pilotit gjerman

Lini një Përgjigje