
Beshiktashi nuk duket i gatshëm të investojë shuma të konsiderueshme për transferimin përfundimtar të Kristjan Asllanit. Sipas gazetarit turk Jagiz Sabunçullu, mesfushori shqiptar është përfshirë në listën e lojtarëve që trajneri Sergen Jalçin nuk i konsideron pjesë të planeve të tij për sezonin e ardhshëm.
Paradoksalisht, ishte pikërisht Jalçin ai që kërkoi afrimin e 24-vjeçarit në skuadrën turke. Megjithatë, performanca e Asllanit gjatë kësaj periudhe nuk duket se ka qenë bindëse, pavarësisht faktit se ai është aktivizuar shpesh si titullar.
Në këto kushte, lojtari pritet të rikthehet tek Interi, klub që zotëron kartonin e tij. Edhe te zikaltërit, Asllani nuk konsiderohet pjesë kyçe e projektit, çka lë të hapur mundësinë për një huazim të ri, në mungesë të një oferte të përshtatshme për transferim përfundimtar.
Sezoni aktual ka qenë i vështirë për mesfushorin e Kombëtares shqiptare. Në pjesën e parë të edicionit, ai ishte i huazuar te Torino, duke mos arritur të krijojë stabilitet në një skuadër të vetme gjatë gjithë sezonit.
Lini një Përgjigje