
Kampionia e Kosovës, Drita, është mundur 2-0 nga Kopenhagen, në ndeshjen e parë të raundit të dytë eleiminator të Champions League. Sfida e luajtur në “Parken Stadium” filloi vrullshëm për vendasit, të cilët që në fillim tentuan të gjenin golin, por nuk ia arritën dot.
Në minutën e 32, danezët iu afruan golit pas një aksioni fanastik, por topi i goditur nga Mohamed Eljonuzi, u përplas në të dy shtyllat dhe për fatin e mirë të dardanëve nuk shkoi në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Një pjesë e parë e mirë për “Intelektualët”, duke ditur kundërshtarin që kishin përballë, cilësinë dhe vlerën në treg që ka.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 68 falë një penalltie të shkaktuar nga mbojtësi anësor Redi Ovuka, i cili pengoi brenda zonës Eljonuzin. I sapofuturi në fushën e lojës, Magnus Metson, u tregua i saktë dhe dërgoi topin në rrjetën e Faton Malokut.
Në minutën e 75 përsëritet sërish skena, Redi Ovuka shkaktoi sërish penallti pas një ndërhyrjeje të gabuar këtë herë ndaj Metson. Arbitri vendosi për penallti pas sinjalizimit nga VAR, Magnus Metson u tregua sërish i saktë nga 11-metrat dhe shënoi golin e dytë.
Rezultati përfundimtar, Kopenhagen-Drita 2-0. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Prishtinë.
Lini një Përgjigje