
Barazim pa gola mes Dinamos dhe Laçit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33 të Abissnet Superiore. Dinamovitët ishin mjaft të rrezikshëm në minutën e gjashtë, një krosim i Denison nuk u shfrytëzua si duhej nga Zabërgja, i cili dërgoi topin jashtë. Vila shkaktoi drithërima në stadium në minutën e 33 me një diagonale, gjithsesi arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje. Kurbinasit qëndruan në pritje dhe preferuan të luajnë me kundërsulme, të paktën në pjesën e parë.
Ekipi i Armando Cungut ndryshoi fytyrë në fillimin e pjesës së dytë. Mjaki provoi një top për Sobouejll në brendësi të zonës, gjyqtari e konsideron offside. Të besuarit e Mehmetit “flirtuan” me golin në minutën e 69, topi i doli me fat Vilës, por nga fare pranë, nuk realizoi dot. Presioni i shtuar i Dinamos nuk prodhoi gol, me të dyja skuadrat që u detyruan të pajtoheshin me nga një pikë.
Dinamo shkon kështu në kuotën e 47 pikëve dhe mbetet në top-4, të paktën për momentin. Në krahun tjetër, Laçi i vendit të shtatë ka 39 pikë.
Skënderbeut i mjaftoi goli i Janaqit për të marrë 3 pikë ndaj Erzenit, në përballjen e luajtur në Korçë.
Sfida u vulos që në minutën e 7 me golin e shënuar nga Janaqi. Pavarësisht tentativave për të shënuar asnjëra prej skuadrave nuk ja doli.
Në minutën e 68, Erzeni mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të Mëllugjës. Me këtë fitore, Skënderbeu është në lojë për një vend në katërshe, ndërsa Erzeni duket se është më pranë rënies nga Kategoria.
Lini një Përgjigje