Kampionia e ardhshme e Shqipërisë do ta nisë rrugëtimin europian nga turi i parë kualifikues i Ligës së Kampioneve. Cilado skuadër që do të shpallet kampione mes Vllaznisë, Elbasanit, Egnatias apo Dinamos, do të pozicionohet në vazon e ekipeve jofavorite gjatë shortit.
Megjithatë, edhe pse përfaqësuesja shqiptare do të konsiderohet “i dobët” në këtë fazë, mundësitë për të siguruar një ecuri pozitive në Europë mbeten reale. Kalimi i turit të parë do t’i hapte rrugën skuadrës shqiptare drejt një objektivi minimal: sigurimin e fazës “play-off” të Ligës së Konferencës.
Lista e skuadrave favorite për këtë fazë po plotësohet gradualisht dhe deri tani janë konfirmuar 13 ekipe që do të jenë në vazon e favoritëve. Ndërkohë, mbetet ende për t’u përcaktuar nëse Nju Saints i Uellsit apo kampionia e Armenisë do të përfshihet gjithashtu në këtë grup.
Në Armeni, Ararat-Armenia është shumë pranë fitimit të titullit kampion dhe vetëm formalitetet duket se e ndajnë nga kurorëzimi. Nëse ky skenar konfirmohet, atëherë Nju Saints do të bëhej një nga kundërshtarët e mundshëm për kampionen shqiptare në shortin e turit të parë.
Nga skuadrat e përfolura si favorite, vetëm disa prej tyre konsiderohen kundërshtarë shumë të vështirë për shkak të nivelit financiar dhe vlerësimeve të larta në treg. Në këtë kategori përfshihen Kraiova, Kairati dhe Riga, që cilësohen si “short ferri” për ekipin shqiptar.

Lini një Përgjigje